
Albanian: Atlas kulturor I islamit (The Cultural Atlas of Islam) Botimi që kemi në dorë është një vepër që për herë të parë bën përmbledhjen në formë atlasi të tërë njohurisë për kulturën dhe qytetërimin islam. Në të përshkruhen botëkuptimi i Islamit, besimi, traditat, institucionet dhe rrënjët që Islami ka lëshuar brenda kulturave të tjera. Kjo vepër e pasuruar me ilustrime, tabela dhe harta paraqet sferat e shumta të jetës, si: adhurimet e përditshme të muslimanëve, shkencën, artin, arkitekturën, ligjin, filozofinë dhe politikën, duke qenë të gjitha këto shprehje të thelbit të qytetërimit islam. Ky tipar aq më tepër e justifikon zgjedhjen nga ana e autorëve të termit "atlas" në titull. Autorët e nisin veprën duke i shqyrtuar ndikimet e paraardhësve ose banorëve më të hershëm në Gadishullin Arabik, "Gjysmënënën Pjellore": mesopotamianët, kenanët, arabët, dhe hebrenjtë në themelet më të vjetra të Islamit. Ata shpjegojnë se si Islami sot është bërë një besim, sistem i të menduarit dhe një strukturë harmonike e vetme përkundër larmisë së traditave të ndryshme në botë. Kjo vepër, po ashtu, shquhet edhe me bashkimin e plotë të shkencave klasike dhe bashkëkohore; ata e prezantojnë në mënyrë të qartë Islamin nga brenda jashtë, duke i nxjerrë në shesh në mënyrë gjithëpërfshirëse shumë falsifikime dhe shtrembërime të bëra nga "shkencëtarë” perëndimorë. Isma'il Raxhi el-Faruki (1 janar 1921 – 27 maj 1986) ishte filozof palestinez-amerikan, i pranuar gjerësisht nga kolegët e tij si një autoritet në studimet e Islamit dhe të religjionit krahasimtar. Ai kaloi disa vjet në Universitetin el-Ez’her në Kajro, e më vonë ligjëroi në disa universitete në Amerikën Veriore, përfshirë Universitetin McGill në Montreal, ndërsa ishte edhe Profesor i Religjionit në Universitetin Temple, ku e themeloi dhe e udhëhoqi programin e Studimeve Islame. Dr. el-Faruki ishte gjithashtu edhe themelues i Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam (International Institute of Islamic Thought). Është autor i 25 veprave, si dhe i rreth 100 artikujve për publikime dhe revista të ndryshme shkencore. Ai themeloi po ashtu edhe Grupin për Studime Islame në Akademinë Amerikane të Religjionit dhe qëndroi në krye të saj për dhjetë vjet. Shërbeu si nënkryetar i Kolokviumit Ndër-religjioz të Paqes, Konferencës Muslimane–Çifute–Krishtere dhe kryetar i Kolegjit Amerikan Islam në Çikago. Lois Lamya el-Faruki (Lois Ibsen) (25 korrik 1926 – 27 maj 1986), ishte eksperte e artit dhe muzikës islame. Ajo u diplomua në muzikë nga Universiteti Montana më 1948, e pastaj studimet i vazhdoi në Universitetin Indiana ku fitoi titullin Master më 1949. Gjatë kësaj kohe ajo e takoi dhe u martua me Ismail R. el-Farukiun. Ishte bashkautore e Atlasit Kulturor të Islamit, ndërsa autore edhe e shumë artikujve të publikuara në periodikë dhe revista shkencore. Më 27 maj të vitit 1986, Ismail R. el-Faruki dhe bashkëshortja e tij Lois Lamia, bashkë me të bijën e tyre, Anmar el-Zein, ishin cak i një sulmi me thikë në shtëpinë e tyre në Wyncote, Pensilvani. Si pasojë e kësaj bashkëshortët el-Faruki vdiqën nga plagët e shkaktuara, ndërsa e bija e tyre mbijetoi, ndonëse me shumë goditje me thikë. Ndonëse askush nuk u arrestua për këtë sulm (i cili deri në ditët e sotme akoma nuk është zbardhur), në dritën e shtimit të incidenteve anti-arabe dhe anti-myslimane atyre viteve për shkak të konfliktit izraelito-palestinez, ka shumë gjasa që vrasjet të mund të kenë qenë të motivuara politikisht, ngaqë dr. Faruki njihej gjerësisht për mbështetjen e tij të kauzës palestineze dhe për artikujt në të cilat kritikonte sionizmin.
Hardback: 978-9989-58-704-7 eBook: 979-8-89193-383-5 / Open Access Pages: 550 Year of Publication: 2018